Secondary Adv

Ministrja Ibrahimaj: Ligji i ri për investimet strategjike do të miratohet brenda vitit

Qeveria synon të miratojë ligjin e ri për investimet dhe të prezantojë reformën e pensioneve gjatë muajit shtator.


Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se qeveria synon të miratojë brenda këtij viti ligjin e ri për investimet, i cili do të harmonizohet me standardet e Bashkimit Evropian dhe do të synojë rritjen e tërheqjes së investimeve në Shqipëri. Gjatë një deklarate për mediat, ministrja bëri edhe një analizë të treguesve ekonomikë të tremujorit të parë të vitit 2026, duke evidentuar sektorët që kontribuuan më shumë në rritjen ekonomike.


Shërbimet dhe pasuritë e paluajtshme kryesuan rritjen

Sipas Ibrahimajt, ndër sektorët me performancën më të mirë ishin administrata publike, arsimi dhe shëndetësia, aktivitetet profesionale, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme.

“Në vlera reale, ndërtimi u rrit me 3.33%, tregtia dhe transporti me 1.61%, informacioni dhe komunikacioni me 1.48%, aktivitetet financiare dhe sigurimet me 5%, pasuritë e paluajtshme me 8.9% dhe sektori i aktiviteteve profesionale me 7.32%”, deklaroi ministrja.


Ligji i ri do të harmonizohet me standardet e BE-së

Ministrja Ibrahimaj theksoi se një nga prioritetet e qeverisë mbetet përmirësimi i klimës së biznesit dhe afrimi i legjislacionit me standardet evropiane, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.


“Kemi marrë përsipër që brenda këtij viti të miratojmë ligjin e ri për investimet. Të bëjmë një analizë për të gjithë vendet e BE me qëllim tërheqjen e investimeve në vendet e tyre. Brenda verës ne do të fillojmë një proces të konsultimit për ligjin për investimet sipas standardeve të BE dhe për tërheqjen e investimeve në zona të disavantazhuara”, u shpreh Ibrahimaj.


Reforma e pensioneve prezantohet në shtator

Gjatë deklaratës, ministrja bëri të ditur gjithashtu se qeveria do të prezantojë gjatë muajit shtator komponentët e reformës së skemës së pensioneve. Sipas saj, në atë periudhë do të bëhen publike edhe fushat ku parashikohen ndërhyrjet, si pjesë e procesit të reformimit të sistemit.


Burimi: Scan


Më të lexuarat